Partizani fiton ndaj Laçit “mëkatar”, por tifozët e kanë me Carën!

Të kuqtë papritmas janë e vetmja skuadër me 6 pikë të plota pas 2 javëve të para të kampionatit. Partizani ia doli edhe pse minimalisht 1-0 ndaj Laçit në “Elbasan Arenë”, falë një goli me penallti të fituar dhe të shënuar nga Skuka në fund të pjesës së parë. Ekipi i trajnerit italian, Kolela, pati epërsi dhe krijoi shumë raste duke goditur edhe shtyllën, por nuk shënoi gol tjetër. Fajtor ishte sulmuesi tjetër, Tedi Cara, i cili shpërdoroi shumë. Njëri nga tifozët reagoi me koment në faqen zyrtare të klubit në Fejsbuk duke shkruar “kam një kërkesë, merrni gjyshin tim se do gabojë më pak se Cara”. Vetë Kolela uli menjëherë euforinë duke thënë se “kemi 6 pikë, por nuk janë asgjë, nëse e mbyllim kampionatin me 6 pikë, atëherë biem nga kategoria”. Laçi, ndërkaq vazhdon të jetë pa “busull”. Largimi i Shpëtim Duros pas Europës prishi punë, por sidomos po paguhet rikthimi i trajnerit malazez, Vukiçeviç, i cili vjet u largua me “ceremoni”, por u mor përsëri!

Sfidanti.al