Nëse La Liga në Spanjë ishte pak si shumë që në fillim për të, ai ka vendosur ta nisë nga “kati përdhes”. Myrto Uzuni duket se është përshtatur menjëherë me ligën e dytë spanjolle ku është shënuesi më i mirë dhe ku ekipi i tij, Granada, ka bërë nisjen e përsosur. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi 3 gola në ndeshjen e sotme në shtëpi ndaj Vijarrealit B, në fitoren po 3-0. Goli i parë ishte nga aksioni, dhe dy të tjerët nga pika e 11-metërshit, ndërsa penalltinë e parë e fitoi vetë. Kjo do të thotë se beratasi ka fituar të drejtën të jetë penalltisti i ekipit, gjë që nuk është pak. Kështu, Uzuni mori topin me vete në shtëpi, ka 4 rrjeta në kampionat në 3 ndeshje ndërsa Granada ka 9 pikë të plota dhe me golaverazhin e shkëlqyer 7-0! Pritet që ecuria të vazhdojë dhe Uzuni ta pushtojë më në fund edhe elitën e futbollit spanjoll.
Sfidanti.al