Tani po, mund të thuhet që kampionati është rihapur. Partizani e shfrytëzoi dhuratën e bërë nga Laçi një ditë më parë, duke fituar në fushën e Bylisit e duke u afruar në 6 pikë diferencë me Vllazninë kryesuese. Në një nga ndeshjet më delikate të sezonit, të besuarit e trajnerit Ilir Daja treguan se tashmë janë një skuadër e vërtetë, që di të luajë futboll e të ketë vazhdimësi.
Nëse pak ditë më parë ndaj shkodranëve nuk patën fat, në Ballsh nuk mund të ankohen për destinin. Kjo sepse fitorja 2-1 u arrit vetëm pasi vendasit humbën penalltinë e pjesës së parë, falë reagimit të Alban Hoxhës. Jo më kot, portieri është kapiten dhe pjesë e kombëtares. Në një sfidë mjaft taktike vendosën cilësitë e lojtarëve të Partizanit, edhe pse Jasir Asani nuk ishte i disponueshëm, ndërsa Ferhan Hasani nuk është ende në formën e duhur.
Në fushë ishin Melo, Çinari, Mala, Bardhi, Stenjo Zhunior, si dhe Murataj i rikthyer rnga pezullimi. Çinari shënoi me penallti dhe i riu Cara realizoi të dytin, shërbyer gjithashtu nga Çinari. Gjithsesi, një ndeshje përfundon vetëm në fund dhe të kuqtë sikur e harruan këtë dhe thuajse u ndëshkuan. Edhe pse Bylisi mbeti me 10 lojtarë pasi Ymeraliaj mori të kuq, sërish vendasit nuk u dorëzuan, dhe përfituan nga përgjumja e kundërshtarit.
Megjithatë, rëndësi pati fitorja, pasi ka ndodhur që Partizani ka luajtur shumë mirë si ndaj Vllaznisë dhe nuk i ka marrë tri pikët, ndërsa shanset për titullin janë rritur. Shanse të tilla nuk i I ka Tirana, pavarësisht se edhe ajo fitoi. Kampionia në fuqi e Superligës është 11 pikë prapa kreut, kaq e madhe ka qenë rënia këtë sezon.
Suksesi ndaj Skënderbeut ishte i lehtë, por kjo do të thotë se tiranasit këtë herë luajtën mirë. Taulant Seferi ishte sërish autor goli, ashtu siç bëri në fitoren e parë të trajnerit Orges Shehi, atë në fushën e Apolonisë. Sidoqoftë, duhet thënë se kryeqytetasit nuk deshën të lodheshin deri në fund, ndoshta për shkak se realizuan dy herë në 18’ e para. Pas këtyre ndeshjeve, Partizani ka 31 pikë ndaj 37 të Vllaznisë, ndërsa Tirana ka 26.
Sfidanti.al