Partizani e Laçi nuk e mërzisin shumë Vllazninë, vetëm 1-1!

Secili nga ekipet po të fitonte do të afrohej më shumë me kreun dhe suksesi i Tiranës në Shkodër do të kishte më shumë kuptim … për rivalët. Gjithsesi, Partizani e Laçi nuk deshën “ta mërzisnin shumë” Vllazninë dhe u ndanë në barazim 1-1 në ndeshjen mes tyre në “Elbasan Arena” për javën e 21-të të Superligës. Pavarësisht se kurbinasit luanin pa dy lojtarë kryesorë si Mazrekaj e Nuabueze, sërish për të kuqtë nuk qe e mundur që t’i thyenin, dhe natyrisht prishi punë fakti se ndeshja u luajt në fushë asnjanëse, jo në kryeqytet (diçka që e ka provuar prej kohësh në kurriz Kukësi, sa për ta kujtuar).

Partizani kaloi i pari në epërsi me anë të Çinarit në fund të pjesës së parë, ndërsa Laçi pati dy raste të pastër për shënim më herët. Në mesin e pjesës së dytë, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro gjeti barazimin, të cilin e meritoi plotësisht. Duket se ish-lojtari dhe ish-tekniku partizanas, e di sesi merren pikët ndaj ish-ekipit të tij. Sa për kolegun e tij, Dajën, nuk po arrin dot të shpërthejë me skuadrën e tij. Partizani mbetet në vend të dytë me 38 pikë, 3 pikë prapa Vllaznisë, por edhe rivalët janë shumë pranë, Laçi e Teuta kanë nga 37 pikë. Duket qartë se lufta për titull është tepër e fortë, por edhe kur gabojnë shkodranët kundërshtarët nuk arrijnë të përfitojnë.

Sfidanti.al