Njëqind e tetëdhjetë minuta pa produktin kryesor të futbollit. Këtë ofroi Superliga shqiptare në dy ndeshje të saj luajtur njëkohësisht në Gjirokastër e Fier. Plot katër skuadra, Luftëtari, Vllaznia, Lushnja dhe Kamza, nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës dhe sfidat u mbyllën 0-0. Përtej mungesës së sulmuesve tipikë, në stadiumet “Luftëtari” e “Loni Papuçiu” triumfoi frika për të mos humbur ndaj dëshirës për të fituar.
Gjithsesi, ishte një ekip që mund të ndihet i kënaqur me atë që bëri, Vllaznia. Shkodranët e trajnerit Armando Cungu zhvilluan një lojë me mendim në Gjirokastër, në një duel që pritej shumë i vështirë, dhe vetëm fati i mohoi fitoren. Miqtë patën rastet më të mirë të ndeshjes së javës së tretë, dhe po ashtu goditën edhe shtyllën. Një reagim i mirë pas humbjes në shtëpi me Teutën pak ditë më parë.
Luftëtari duket krejt ndryshe nga ai i edicionit të kaluar, kur ishte zbulimi i Superligës. Të paktën për momentin, gjirokastritët nuk po mundin të përsërisin lojën sulmuese të vjetshme të ish-trajnerit Milinkoviç. Lushnja, ndërkaq, mori pikën e parë në kampionat, kurse Kamza priste më shumë nga takimi në fushën asnjanëse të Fierit, pas barazimit të një jave më parë ndaj Skënderbeut.
Sfidanti.al