Ende nuk e ka bërë shekullin, por po i afrohet.
Futbolli shqiptar ka një traditë edhe më të madhe, mbi 100-vjeçare, por fiks 9 dekada jetë i mbushi edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në 6 qershor 1930, Mbreti Zog firmosi dekretin e themelimit të Federatës Sportive Shqiptare, vit që shënoi edhe krijimin e kampionatit të futbollit. Prej ditësh, Federata ka nisur përkujtimin e përvjetorit të themelimit. Në faqen e saj zyrtare në jutub (youtube) janë vendosur pamje filmike të ndeshjeve të shquara të së kaluarës, të ekipit tonë kombëtar, duke nisur nga Ballkaniada e vitit 1946, apo përballje me Bullgarinë, Çekosllovakinë apo Danimarkën.
Festimet priteshin të fillonin që në muajin mars, por u penguan nga koronavirusi. Federata ka pasur 8 presidentë në historinë e saj, ku më jetëgjati mbetet gazetari dhe komentatori i shquar, Anton Mazreku, që e drejtoi nga viti 1945 deri në 1970. Në vitet 30-të aktiviteti duhet të ketë qenë i vogël, pasi të regjistruar janë vetëm dy presidentë, Luigj Shala e Izedin Beshiri, deri në 1932, ndonëse kampionatet e zhvilluara ishin 7. Në total, janë zhvilluar 81 kampionate, plus 3 të kohës së Luftës së Dytë Botërore, që nuk janë njohur zyrtarisht.
Kombëtarja shqiptare, nën drejtimin e Federatës, ka zhvilluar gjithsej 336 ndeshje zyrtare që nga viti 1946, me 84 fitore e 183 humbje, plus 7 ndeshje jozyrtare. Pavarësisht se Duka vlerësoi arritjet e Federatës, duhet theksuar se gjatë 30 viteve të fundit janë humbur shumë fusha futbolli, dhe rrezikohen të humben edhe të tjera, përfshi edhe aneksin e stadiumit “Selman Stërmasi”.
Përsa i përket sukseseve të mëdha, mbahen mend triumfi në Ballkaniadën e vitit 1946, ku Shqipëria u shpall kampione e Gadishullit. Po ashtu, ndeshja e paharruar ndaj Gjermanisë Perëndimore në 1967, kur nënkampionët e botës u eleminuan nga Europiani. Kulmi mbetet kualifikimi për në Europianin 2016, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë në finalet e një turneu të madh futbolli, shënoi golin e parë dhe arriti fitoren e parë, 1-0 ndaj Rumanisë.
Sfidanti.al