Java e 16 parashikohet të luhet të mërkurën, më 14 dhjetor, ndërsa të dielën, më datë 18, klubet do të kthehen përsëri në fushë për të luajtur javën e 17. Java e 18, ajo që mbyll fazën e dytë dhe gjysmën e parë të sezonit, do të luhet vetëm katër ditë më vonë, të enjten, para se klubet të marrin pushimin e shumëpritur në mes të një sezoni që është ngjeshur si asnjëherë më parë.
Kalendari është masakrues sidomos për kampionët në fuqi të Skënderbeut, të cilët përballen me supersfida të njëpasnjëshme, pasi në këto ditë do të luajnë kundër Tiranës, Kukësit dhe Partizanit, tre rivalët kryesorë për titullin. Edhe të kuqtë do të dëshironin të kishin më shumë kohë për të përgatitur duelet me Flamurtarin dhe atë ndaj korçarëve, me një ndeshje të ndërmjetme ndaj Korabit, skuadër e cila është e “uritur” për pikë.