Muçi drejt Rapidit të Vjenës, Tirana ndoshta donte më shumë se 400 000 euro!

Largimi pritej që në gusht. Ernest Muçi ka qenë prej kohës një diamant në vitrinë për Tiranën, por duket se klubi dhe vetë ai kanë pritur rastin e duhur. Zbulimi ndoshta më i rëndësishëm i Superligës shqiptare 12 muajt e fundit me gjasë do ta hedhë hapin e radhës dhe karrierën ta vazhdojë në Austri. Burime pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dijë se 19-vjeçari pëlqehet nga Rapidi i Vjenës, një nga emrat më të shquar të futbollit austriak, dhe flitet se shifra e ofruar për kartonin mund të jetë 400 000 euro. Vetë Muçi nuk deshi të fliste për të ardhmen.

“As unë, as agjenti im, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, dhe se ku do të shkojmë, apo nëse do të largohemi nga Tirana, – tha ai, – për momentin, duhet të luaj e të shënoj gola në kampionat”. Edhe pse 19 vjeç, Muçi u dallua gjatë 12 muajve të fundit duke ndihmuar Tiranën në titullin e fituar në Superligë, duke shënuar gola të rëndësishëm sidomos në ndeshjet derbi ndaj Partizanit. Ai shkëlqeu edhe në Champions, në ndeshjet ndaj Dinamos së Tbilisit dhe Crvena Zvezdës, ndërsa fillimisht u mendua se do të shkonte në Belgjikë.

Tirana ndoshta dëshironte edhe më shumë për kartonin e tij, por duket se vetë vlera e Superligës shqiptare është e tillë që vështirë të të japë 1 milionë euro, përveçse nëse shkëlqen në Europë apo nëse ndërmjetësojnë agjentë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Sfidanti.al