Skënderbeu tashmë është lënë prapa, të paktën me golaverazh, ndërsa Kukësi nuk është shumë larg edhe pse fitoi. Partizani mund të quhet skuadra më e lumtur e Superligës në javën e 25-të. Suksesi në “Elbasan Arena” ndaj Flamurtarit bëri që skuadra e trajnerit Starova të ngjitej në vendin e dytë, dy pikë larg kuksianëve. Shkalla e lartë e vështirësisë së ndeshjes, për shkak të luajtjes në Elbasan dhe pa tifozë, po ashtu edhe me dëmtimet e Krasniqit dhe Bathës, u tejkaluan nga forma shumë e mirë e Mentor Mazrekajt.
Lojtari që mund të quhet si më i talentuari i të kuqve, shënoi golin e parë në suksesin 2-1, dhe fitoi penalltinë e golit të dytë. Nga pika e bardhë e 11-metërshit gjuajti Lorenc Trashi dhe nuk gaboi. Në pjesën e dytë, edhe Partizani, edhe Flamurtari patën raste, por fituesi nuk ndryshoi, edhe pse Danilo Alvesh e shkurtoi diferencën në minutën e 70-të. Kaleb Ekuban, shënuesi më i mirë i kryeqytetasve humbi disa raste, por po ashtu edhe Veliu e Shkodra për Flamurtarin mund ta ndëshkonin portierin Hoxha. Trajneri i Flamurtarit, hpëtim Duro, e humbi përballjen me ish-ekipin e tij, ndërsa ka pësuar dy disfata në 3 ndeshje në stol me vlonjatët.
Në krye të Superligës mbetet Kukësi, që mposhti 4-0 Korabin në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Pero Pejiç shënoi dy herë, Kale e Dvornekoviç plotësuan fitoren, ndërsa skuadra e Ernest Gjokës u shkëput me 2 pikë nga Skënderbeut, si dhe mbajti diferencën po dypikëshe me Partizanin. Korabi, pati mundësi të shkurtonte shifrat në 1-3, por ashtu si në ndeshjen e parë në Kukës, gaboi penalltinë që e gjuajti Mziu. Koliçi priti.
Pas 25 javësh, Kukësi ka 51 pikë dhe nuk njeh humbje, Partizani e Skënderbeu e ndjekin me nga 49.
Sfidanti.al