Mallkimi i Partizanit do të kalojë, apo edhe Sormani si të tjerët?!

Kur Ilir Daja drejtonte Skënderbeun në Ligën e Europës, Adolfo Sormani ishte tek Velje në kategorinë e dytë të Danimarkës. Trajneri shqiptar eleminoi Dinamon e Zagrebit, përveç të tjerave, dhe në fazën e grupeve nuk humbi asnjë ndeshje në shtëpi, ndërsa italiani duhej të kënaqej me ngjitjen në Superligë, gjë që u zhbë një sezon më shumë.

Ndoshta nuk është mirë që bëjmë këtë krahasim, por të shkon mendja vetë kur Skënderbeu i Ilir Dajës, që duhet quajtur pa pretendime, mundi bindshëm Partizanin kampion të Sormanit, që është (bashkë me Kukësin) skuadra më cilësore e kampionatit. Korçarët fituan 3-2 duke rikujtuar kohët e kaluara në stadiumin “Skënderbeu”, ndërsa Partizani me siguri që ndjeu përjashtimin e Brojës që në 39’ me të kuq. Nuk dihet nëse kjo humbje është thjesht diçka kalimtare për të kuqtë, apo ndoshta edhe Sormani do të ketë fatin e trajnerëve të tjerë italianë në stolin partizanas?

Sa për informacion, Partizani kaloi në epërsi me penallti që në fillim kthyer në gol nga Telushi, korçarët përmbysën me autogolin e Bitrit dhe me golin e Krasniqit në fund të pjesës së parë. Pas pushimit, Telushi humbi penallti, Devi Bregu i dha epërsinë 3-1 vendasve në 82’, ndërsa nuk bëri punë goli në shtesë nga Dita (autogol). Në ndeshjet e tjera të së martës, Laçi fitoi 1-0 në Durrës me Teutën, ndërsa Vllaznia mundi 2-0 Flamurtarin në Shkodër. Skuadrat u ngjeshën sërish në renditje.

Kukësi 31 pikë, Bylisi 30, Laçi, Tirana, Partizani e Teuta nga 28, Vllaznia 26 e Skënderbeu 24, ndërsa Luftëtari ka 11 pikë e Flamurtari 6.

Sfidanti.al