Macja e zezë e historisë, Intitucioni “sponsorizon” futbollin rural

Gjatë të gjithë kësaj periudhe të gjatë mbretërimi, drejtuesit aktual të FSHF-së janë munduar ta paraqesin veprimtarinë e tyre, si një reformë të vazhdueshme dhe bilanci i çdo fundviti del gjithmonë  një histori arritjesh.  Por diçka e kanë bërë me shumë mundime, tamam për të hyrë në histori. Duke lejuar këtë lloj organizimi të klubeve pjesmarrëse në aktivitet, madje duke sponsorizuar një mënyrë rrënuese, tashmë pjesa më e madhe e skuadrave që kanë plotësuar portretin e futbollit të vendit, ose nuk janë më elitë, ose janë në prag kolapsi dhe qëndrojnë me vuajtje në buzë të humnerës.

Flamurtari duket se i kishte shpëtuar kësaj reforme që të heq edhe gurin e fundit të themelit, por duket se së fundi është bërë viktimë e një pasioni të madh për ta rrëzuar. Vllaznia lëngon dhe si rrjedhojë është aq e varur nga FSHF (edhe kjo është pjesë e rëndësishme e reformës), saqë e përzënë dhe i kthejnë çelësat e shtëpisë së vet, sa herë që duan. Dhe për të plotësuar panoramën është Elbasani, Besa, Dinamo që ka mbetur në mes të katër rrugëve. Këta të harruarit janë një pjesë e mirë historisë, ekzaktësisht 65 trofe të fituar, por që nuk preferohen më, pasi këtë privilegj, prej kohësh e ka marrë futbolli rural.