Një mundësi e madhe për t’iu afruar kreut u shpërdorua. Flamurtari mund të ishte sot vetëm 5 pikë larg vendit të dytë, por nuk mundi të shfrytëzonte ndeshjen në shtëpi ndaj Luftëtarit, duke dalë vetëm barazim.
Një zhgënjim i madh për tifozët vlonjatë, klubin dhe skuadrën, por realiteti në përfundim ishte rezultati 0-0, pavarësisht nga këmbëngulja dhe mundësitë që u krijuan për të shënuar.
Sidomos në pjesën e dytë, vlonjatët luajtën gjithnjë në sulm dhe pranë portës mike, veçse nuk qenë të qartë dhe të saktë. Po ashtu, pati sërish protesta ndaj gjykimit, dhe u kërkua një penallti, që nuk u akordua nga arbitri Ferhataj.
Flamurtari u duk përsëri si një skuadër në ndërtim e sipër, dhe duket qartë se Daja po has vështirësi për të krijuar mënyrën e duhur të lojës. Vlonjatët po hasin vështirësi për t’iu afruar vendeve të larta, duke qenë tani në pjesën e poshtme të tabelës, të gjashtët me vetëm 19 pikë.
Kjo, pasi rivalët për Europën, Laçi dhe Teuta, arritën fitore të rëndësishme. Luftëtari, ndërkaq, mori një pikë shumë të rëndësishme, pas humbjes që pësoi në Gjirokastër me Laçin. Në kuotën e 10 pikëve, u barazua me Tiranën, duke qenë sërish pranë zonës së rrezikshme.
Sfidanti.al