Laçi është vërtet “mister”, por kjo Tiranë rrezikon sërish Superligën!

Nuk është se kënaqi shumë fitorja e javës së kaluar. Tirana tregoi përsëri se e ka shumë të lehtë të gabojë, duke u mundur brenda në shtëpi nga Laçi, e duke hyrë sërish në krizë të rëndë. E pasigurt dhe e lehtë për t’u goditur, skuadra bardheblu e la veten në vendet e fundit të renditjes, dhe mund të quhet kandidate për luftën për mbijetesë.

Edhe pse kryeqytetasit kërkuan të paktën dy herë penallti, pra mund të ankohen nga arbitri, sërish fakti është se ata edhe 11-metërshin që e morën, e humbën, me anë të sulmuesit Blazhevski.

E kundërta mund të thuhet për Laçin e presidentit Laska dhe trajnerit Artan Mergjyshi. Kurbinasit u ngjitën në vend të tretë, për momentin me pikë të barabarta me Partizanin, dhe vetëm 1 pikë larg kreut. Edhe pse luanin jashtë fushe, u shfaqën jo vetëm të  barabartë me bardheblutë, por treguan ambicie dhe rrezikuan shpesh portën e Ilion Likës.

Duket vërtet e pazakontë një renditje ku Laçi me histori modeste pretendon titullin, dhe Tirana rekordmene e trofeve në Shqipëri, rrezikon Superligën. Nuk dihet tashmë se cili do të jetë fati i trajnerit Ze Maria, i cili sipas informacioneve u largua tepër i nervozuar nga stadiumi, pa dhënë deklarata, e duke i bërtitur lojtarëve të tij.

Sfidanti.al