Rodrigez ironik me Kovaç: Ne këtu nuk jemi në Frankfurt!

Futbollisti i Bajernit të Mynihut, Hames Rodrigez, është i fundit në serinë e lojtarëve që kanë shprehur pakënaqësi dhe mosbesim ndaj Niko Kovaçit. Ky trajner kroat, në fakt, ndodhet në qendër të kritikave të medias gjermane dhe Rodrigezi me deklaratat e tij po ia keqëson atij edhe më shumë situatën. Lojtarët e ekipit kampion gjerman nuk janë të kënaqur me lojën dhe mënyrën e drejtimit të skuadrës nga ana e Niko Kovaçit dhe disa prej tyre kanë filluar ta shprehin hapur në publik pakënaqësinë e tyre.
Bajerni në tri ndeshjet e fundit ka pësuar një humbje dhe ka shënuar dy barazime, i fundit në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Ajaksin në fushën e vet, ku ekipi bavarez mezi i përballoi sulmet e djemve të rinj amsterdamas.
Hames Rodrigez, yll kolumbian që erdhi te Bajerni nga Reali i Madridit, e kritikoi Kovaçin për qëndrimin e tij ndaj ekipit, duke vënë në dukje se, ndoshta, Kovaçi nuk “është rritur” ende që të drejtojë një ekip si Bajerni i Mynihut!
“Ne këtu nuk jemi Eintrahti i Frankfurtit”, ishin fjalët që ai i drejtoi trajnerit të tij, mbas dështimit me Ajaksin, duke pasur parasysh se Kovaçi më parë ka drejtuar ekipin e lartpërmendur gjerman.
Sfidanti.al