Tri fitore radhazi, Partizani i Sormanit tani është për titull! Duhej pikërisht ky sukses që të kthehej besimi. Partizani i mundur shpesh gjatë këtij sezoni të Superligës, dhe i sapoeleminuar në Kupën e Shqipërisë, pati nevojë për një fitore bindëse në Laç që të vërtetonte fjalët e trajnerit të tij, se është në rrugë të drejtë.
Nuk ishte triumf dosido, por në një nga stadiumet më të vështirë në Shqipëri, që e ktheu Partizanin sërish në pretendent për titull. Kombinuar edhe me barazimet e Tiranës dhe të Kukësit, ky rezultat bën që kampionët të jenë tani vetëm 5 pikë larg vendit të parë, kur janë në lojë edhe 42 pikë të tjera.
Përtej shifrave 3-1, ku sërish sulmi nuk arrin të shënojë, të kuqtë e teknikut Sormani bënë përshtypje të madhe me lojën e tyre. Kurbinasit agresivë dhe të fortë të trajnerit Armando Cungu nuk mundën të bënin gjë, madje u përmbysën edhe pse kaluan të parët në avantazh. Kryeqytetasit u dukën të bashkuar dhe më të rrjedhshëm në lojën e tyre, një skuadër e vërtetë, krejt ndryshe nga periudha kaotike e ish-trajnerit Franko Lerda.
Jo vetëm kaq, por treguan se dinë të përballojnë presionin dhe të durojnë edhe kur kundërshtari jep maksimumin për të marrë rezultatin. E qartë që dora e Sormanit po duket, dhe se italiani po bën një punë mjaft të mirë, që premton për javët në vazhdim.
Mesfushori Bruno Telushi ishte sërish heroi duke realizuar dy gola me goditje dënimi, pasi shënoi 3 në kupë ndaj Besëlidhjes. Një gol tjetër u shënua nga mbrojtësi Bitri, ndërsa sulmuesit Bardhi, Çinari, Solomon apo Braun nuk po e gjejnë dot rrugën e rrjetës, ndonëse në Kurbin e ndihmuan shumë skuadrën. Pas ndeshjes, Sormani vlerësoi kështu për Supersportin. Partizani është në vendin e tretë me 37 pikë, ndaj 42 të Kukësit e 41 të Tiranës.
Sfidanti.al