Kush duhej gjobitur më parë, Bashkia e Shkodrës apo trajneri Brdariç?!

Nja 20 vjet më herët, tek Tirana ishte një trajner hungarez që edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me respekt. Ishte profesori Miklosh Temeshvari, i cili kishte aq shumë profesionalizëm dhe korrektesë saqë i vuri gjobë vetes si fillim, për të pasur moral për t’u vënë gjobë futbollistëve. Siç ndodhnin gjërat në Shqipërinë e asaj kohe, Temeshvarit i bënë “puç” dhe ai u largua.

Sot është Bashkia e Shkodrës që i vë gjobë trajnerit Tomas Brdariç si dhe futbollistëve të Vllaznisë, për shkak të ecurisë së keqe të rezultateve, duke akuzuar trajnerin si liberal dhe se nuk po ia mbledh “rripat” lojtarëve. Të gjithë ata që e njohin historinë e Vllaznisë që prej një dekade, mund të pyesnin me shumë të drejtë: Kush duhej gjobitur më parë, Bashkia që e groposi Vllazninë duke e zbritur deri një kategori më poshtë, apo Brdariçi që të paktën e ngjiti në krye, dhe që është vetëm 2 pikë larg vendit të parë?

Drejtuesit i kanë vendosur gjermanit një gjobë me vlerë 150 000 lekë duke e akuzuar për mungesë disipline në skuadër, dhe sidomos për shthurje të disa lojtarëve të caktuar. Në vendimin, firmosur në emër të klubit nga kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, theksohet se gjoba është bazuar tek pika 12 e kontratës. Qortimi i shprehur hapur është se Brdariçi, sipas klubit, është gjithashtu fajtor sepse nuk po motivon sa duhet lojtarët për të marrë rezultate pozitive. Pas humbjes së fundit ndaj Bylisit, drejtuesit u bënë gati ta shkarkonin trajnerin gjermano-kroat, veçse Brdariçi mbijetoi sepse lojtarët kërkuan që ai të mos largohej.

Sfidanti.al