Dinamo Zagreb, mrekullia ballkanase nokauton Murinjon edhe kur dënohet me burg

Duket e vështirë që yjet e sotëm si Harri Kejn e Garet Bejl, apo trajneri i tyre të kishin ditur që më parë se kundërshtari që kishin përballë nuk ishte dosido. Nëse do të kishin marrë informacion do të kishin mësuar se në 1967 një tjetër skuadër e shquar angleze, Lids Junajtid, provoi një zhgënji të tillë kur u ndesh me Dinamon e Zagrebit. Ishte finalja e Kupës së Qyteteve Panaire, paraardhësja e Kupës UEFA dhe e Ligës së sotme të Europës, dhe “të kaltrit” nga Kroacia mposhtën “të bardhët” me shifrat 2-0 e 0-0.

Zllatko Çoriç, Branko Graçanin, Rudolf Belin, Mladen Ramljak, Filip Blashkoviç, Sllaven Zambata, Marijan Çerçek apo Krasnodar Rora, të udhëhequr nga trajneri i shquar Ivan Horvat hodhën “tuç” legjenda si Xheki Çarlton, Billi Bremner, Norman Hanter apo Piter Lorimer.

U desh të kalonin 64 vjet që një tjetër skuadër e elitës angleze të provonte forcën e Dinamos. Të mbiquajtur “modri” (të kaltrit), edhe pse në një stadium “Maksimir” pa tifozë dhe të lënë pas dore, përmbysën humbjen 0-2 të pësuar në Londër dhe mposhtën Totenhemin 3-0 pas kohës shtesë duke e eleminuar nga Liga e Europës. Kryeqytetasit ballkanas janë në çerekfinale edhe pse ish-presidenti Zdravko Mamiç është në arrati, i dënuar në mungesë me 6.5 vjet burg, dhe ish-trajneri Zoran Mamiç, u dënua me 4.5 vjet për korrupsion.

Mislav Orshiç shënoi tre gola, i pari lojtar i Dinamos së Zagrebit që shënon 2 herë apo mëshumë ndaj një ekipi anglez në një garë europiane, fillimisht në 62’ për 1-0 dhe pastaj në 82’ për 2-0. Ai vulosi kualifikimin në kohën shtesë, në 106’ me golin e tretë që ishte i shkëlqyer pasi dribloi 4 lojtarë. Kapiteni Arijan Ademi ishte me krenari në fushë me shiritin në krah, në një nga triumfet më të rëndësishëm të karrierës. Ai doli në 116’ dhe 4 minuta më vonë festoi me shokët.

Sfidanti.al