Kur trajnerët refuzojnë kushtin “titull” te Kukësi!

Shpëtim Duro nuk është më trajner i veriorëve, dhe vendin e tij tashmë e ka zënë Orges Shehi. Ish-portieri i kombëtares nis punën me kushtin e përhershëm për titullin, ndërsa gjithnjë kujtohet batuta e “xhaxhit” Farruk Sejdini se “ne trajnerët jemi gjithmonë me valixhe në dorë”. Pati trajnerë që as nuk i hapën fare valixhet, për t’u vendosur në selinë e Kukësit, duke refuzuar kushtin “titull” të presidentit (të nderit!!!), Safet Gjici.

Në verë këtë e bëri Ilir Daja, ndërsa tani e përsëriti Skënder Gega. i pari zgjodhi të shkonte te Skënderbeu, ndërsa i dyti pëlqeu më mirë të shohë ndeshjen në shtëpi apo në stadium, sesa të pranonte një kusht që nuk mund t’i vendoset as trajnerit të Realit e Barcelonës. Në çdo klub të madh në Europë e në botë padyshim që ka objektiva, por askund nuk ka klauzola në kontratë që trajneri duhet të fitojë titullin për të rinovuar kontratën. Kjo vjen natyrshëm, sipas asaj që ndjejnë dhe mendojnë palët, sepse titullin mund ta fitojë vetëm një skuadër, ose Reali ose Barcelona. Me këtë logjikë, Zinedin Zidan nuk do të ishte trajner i Realit, e nuk do të fitonte 3 Champions radhazi, po ashtu të tjerë si Luis Enrike apo Valverde as nuk mund të kishin vazhduar 2 apo 3 vjet.

Sfidanti.al