Kukësi arriti ta fitonte ndeshjen e javës së gjashtë të Superligës, dhe të mos shkëputej edhe më shumë nga Skënderbeu. Skuadra kampione në fuqi mundi 4-2 Teutën në takimin e luajtur në fushën e vet, duke udhëhequr që nga fillimi deri në fund. Elis Bakaj shënoi golin e parë në stadiumin “Zeqir Ymeri”, që në minutën e 18-të, ndërsa më pas erdhën golat e Valon Ethemit dhe sulmuesit tjetër, Alijev.
Në minutat e fundit, Teuta arriti të reagonte duke ngushtuar diferencën në 2-3, me rrjetat e realizuara nga Hila dhe Lena, por nuk mundi të bënte më shumë se kaq. Kukësi siguroi fitoren sërish me një gol të Alijevit dhe mori tri pikët. Kampionët kanë tani 13 pikë, vetëm 3 më pak sesa Skënderbeu.
Në ndeshjet e tjera, Kamza arriti një fitore të rëndësishme në fushën e vet, duke mundur 1-0 Vllazninë me një gol shënuar në fund nga Imeri, ndërsa Flamurtari doli barazim 1-1 në fushën e Laçit, edhe pse ndeshja u luajt në stadiumin asnjanës të Krujës.
Sfidanti.al