Amerikanët “po çmenden” pas Teodosiçit, si askush tjetër

Milosh Teodosiçi, prej kohësh, ka qenë objektiv i klubeve amerikane dhe, më në fund, ai mbërriti në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA, duke bërë për vetë shumë tifozë, madje, ka edhe nga ata që “po çmenden” pas tij. Me bluzën e Klipersave, ky basketbollist serb po bën atë që di të bëjë më mirë, të japë asistenca të papara. Në ndeshjen e fundit që Klipersat e fituan kundër Sakramentos, ai dha 6 asistenca magjike brenda 23 minutave.

“Mendoj se unë kam rënë në dashuri me Milosh Teodosiçin”, vuri në dukje komentatori i NBA-së, Adam Zhosef, duke shtuar se aftësia e tij për ta nxjerrë jashtë funksionit mbrojtjen e ekipit kundërshtar, pa hyrë në zonën e koshit, është unike. “Ai mund ta dërgojë topin në anën e kundërt, pa e kuptuar, paraprakisht, askush, si asnjë basketbollist tjetër”, vuri në dukje Adami, ndërsa portali “NBA Draft” theksonte se Teodosiçi është një magjistar i vërtetë i topit.

Sfidanti.al