Ishte i fiksuar për të fituar një trofe, dhe ia doli. Kukësi i dha një kënaqësi të rëndësishme presidentit Safet Gjici, duke marrë Kupën e Shqipërisë në finalen e luajtur ndaj një rivali historik si Tirana. Përfundoi 2-1 për veriorët në “Elbasan Arena”, sukses që i shton një tjetër titull klubit kuksian, dhe që besohet i garanton postin trajnerit Ernest Gjoka. Në një klub që ka kaq pak durim si Kukësi, vetëm trofetë mund ta shpëtojnë një trajner nga shkarkimi.
Skuadra e Gjokës luajti më mirë në pjesën e parë, duke gjetur edhe rrugën e rrjetës me anë të sulmuesit Vasil Shkurtaj, madje që në minutën e 4-ët. Veriorët, madje i patën mundësitë që të shkonin në pushimin e ndeshjes me avantazh edhe më të thellë.
Tirana reagoi në pjesën e dytë, besohet edhe pas motivimit dhe ndërhyrjeve të trajnerit Ardian Mema. Arriti edhe të barazonte me anë të sulmuesit anglez, Majkëll Ngo, por nuk mundi të fitonte, as ta dërgonte ndeshjen në shtesë. Në të kundërt, pësoi golin e dytë kur duheshin edhe 11 minuta deri në përfundim, gol që vulosi edhe rezultatin final.
A mund të quhet ky një sezon i mirë për Kukësin, dhe i dështuar për Tiranën? Padyshim, pasi kuksianët morën një trofe dhe dolën në vend të dytë në Superligë, duke mos luajtur asnjë ndeshje në stadiumin e tyre, që ndodhet në rikonstruksion. Tiranasit, ndërkohë, ishin një dështim në kampionat, por arritja në finalen e Kupës ishte e rëndësishme, duke pasur parasysh problemet që kishte skuadra.
Nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë që trajneri Mema të vazhdojë detyrën, apo do të zëvendësohet. Sa për Kukësin, tashmë ka 4 tituj në traditën e tij të shkurtër, dhe do të përgatitet për pjesëmarrje në Ligën e Europës.
Sfidanti.al