Kur ndjekësit janë shumë larg, edhe motivimi natyrshëm që bie. Kjo duket se i ndodhi Tiranës në përballjen në atë që mund të quhet fusha e Kukësit, edhe pse u luajt në Rrogozhinë. Përfundoi 0-0 ndeshja e javës së 27-të të Abisnet Superligës, mes kryeqytetasve dhe veriorëve, të cilët u dukën se nuk patën dëshirën e përhershme për t’u përplasur. Pak raste për gol, një pretendim për penallti nga bardheblutë dhe momente tensioni, kjo ishte gjithçka që ofroi një duel pa fitues.. Po ashtu, edhe një përplasje të rrezikshme në pjesën e parë që për fat përfundoi pa ndonjë problem shëndetësor për futbollistët. Kush nga ekipet mund të jetë kënaqur më shumë me këtë barazim?
Padyshim që Tirana, pasi ekipi i trajnerit Orges Shehi shkoi në 14 pikë epërsi me Laçin e vendit të dytë edhe pse kurbinasit nuk e kanë luajtur ende ndeshjen e kësaj jave. Sa për Kukësin, synimi ishte fitorja për të mos rrezikuar të paktën vendin e tretë dhe për t’u afruar pikërisht me Laçin e vendit të dytë. Kjo nuk u arrit, e megjithatë një 0-0 me ekipin më të mirë të sezonit nuk është për t’u hedhur poshtë. Në cilësinë e ndeshjes me gjasë ndikoi edhe cilësia e fushës, e cila nuk është një “Arenë Air Albania”, një “Loro Boriçi” apo një “Elbasan Arenë”. Po ashtu, edhe klima e ftohtë në tribuna me shumë pak tifozë të të dyja skuadrave.
Sfidanti.al