“Kryengritja në Pallat” vazhdon, Kukësi e Partizani i japin titullin Tiranës!

E saktë do të ishte të thuhej se bardheblutë po fitojnë vetë, pa pasur nevojën e ndihmës nga të tjerët, por edhe dhuratat nuk refuzohen. Nuk thonë kot, që nuk i hedh poshtë as mbreti. Partizani kampion është 15 pikë prapa rivalëve të kryeqytetit pas disfatës së pësuar në Shkodër. Pavarësisht polemikave për “penallti pro” dhe “penallti kundër”, seria e humbjeve të të kuqve nuk të lë vend për dyshime, dhe është e vështirë të parashikosh nëse trajneri Sormani do të jetë në gjendje të kthejë nga rruga një ekip që po shkon drejt greminës. Ky ishte dështimi i tretë radhazi, me Partizanin që ka shënuar vetëm 1 gol, e ka pësuar 7.

“Kryengritja në Pallat” vazhdoi me fitoren e Skënderbeut ndaj Kukësit, edhe pse duket e habitshme që korçarët të cilësohen jo si “oborrtarë”, por si “popull”. Pas gati 8 vjetësh zotërimi, me merita të mëdha, por edhe me ndihma aspak më të vogla, bardhekuqtë e Ilir Dajës janë bërë sot më simpatikë sesa atëherë. E qartë që populli të do më shumë kur je “Robin Hud” sesa si “Sër Daniel”. Golat e Devi Bregut dhe Bruno Ditës siguruan suksesin ndaj kuksianëve, që ashtu si Partizani kanë marrë rrugën, të paktën, për në “purgator”. Është e vështirë të kthehet harmonia me një zgjedhje të sforcuar, qoftë kur stolit ia jep një ish-portieri legjendë si Orges Shehi. Humbjet e Partizanit e të Kukësit janë hakmarrjet që po bën futbolli ndaj drejtuesve që në mënyrë aq të shpenguar prekën themelet e skuadrave të tyre.

Sfidanti.al