Tirana përfitoi maksimalisht nga hapi i gabuar i Partizanit dhe u shkëput në krye të renditjes së Superligës. Kampionët në fuqi të Shqipërisë fituan 2-1 ndaj Egnatias në ndeshjen e javës së 29-të luajtur në “Elbasan Arenë”. Në të vërtetë, ekipi nga Rrogozhina kaloi i pari në avantazh me golin e shënuar nga Kasa që në minutën e 22-të. Kryeqytetasit reaguan shpejt dhe barazuan që në pjesën e parë, kur Kristal Abazaj realizoi në minutën e 38-të. Pas pushimit, ishte sërish Abazaj që shënoi përsëri, këtë herë në minutën e 57-të. Këta ishin dy golat e parë të sulmuesit tropojan për Tiranën që pasi u bashkua me ekipin në muajin janar. Tirana kryeson renditjen e Superligës me 53 pikë ndaj 48 të Partizanit, duke qenë pretendenti kryesor për titullin kampion.
Më herët, Partizani u mund 2-3 në fushën e Laçit në një ndeshje me polemika, ku të kuqtë u ankuan për një gol të anuluar të tyre për pozicion jashtë loje, dhe për një gol të dhënë për kurbinasit, për të cilin ekipi i trajnerit Kolela pretendoi gjithashtu për ofsajd.
Sfidanti.al