Sfida e parë i erdhi tepër shpejt dhe padyshim e gjeti të papërgatitur. Pavarësisht lojës së mirë në Poloni, dhe humbjes minimale 0-1, Silvinjo e ka të qartë se kombëtarja shqiptare ka potencial për më shumë. Në planet e tij, trajneri brazilian ka një listë me emra të cilët pritet të bashkohen rrugës me ekipin kuqezi. Natyrisht, nuk flitet vetëm për kthimin e të dëmtuarve si Gjimshiti, Ismajli, Bare apo Broja si dhe për Manajn që ka mbetur pa ekip. Silvinjo ka piketuar disa lojtarë që luajnë me Shqipërinë U21, dhe këta janë Adrion Pajaziti që është tek Fulhami në Angli, mbrojtësi Mario Mitaj, po ashtu sulmuesi Stiven Shpendin që po shënon gola të shumtë në Itali për Çesenën në Serinë C dhe që është vetëm 19 vjeç, por po ashtu edhe talentin 17-vjeçar të Anderlehtit, Behar Ismaili.
Gjithashtu, në plane është sulmuesi Mirlind Daku, që shënoi një tjetër gol në Ligën e Parë të Sllovenisë për Murën, dhe që ka 15 rrjeta deri tani. Daku është 25 vjeç dhe ka luajtur më parë për Kukësin në Superligën shqiptare. Silvinjo ndjek Enis Çokajn që ka kaluar nga Lokomotiva e Zagrebit tek Panathinaikosi në Superligën greke, dhe që cilësohet lojtar me të ardhme. Lista e trajnerit kuqezi është e gjatë dhe aty bëjnë pjesë lojtarë që duhet të rikthehen në ekip si Odise Roshi, Adrian Bajrami, Arlind Ajeti, Ernest Muçi, Endri Çekiçi, Kastrioti Dermaku, Enea Bitri apo Xhakomo Vrioni.
Sfidanti.al