Ilir Daja, një karrierë profesionisti, integriteti dhe suksesi!

Vështirë të gjesh një karrierë të ngjashme me këtë. Ilir Daja, njeriu që sot mbërriti një kulm me Skënderbeun, jo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes. Ish-futbollisti me karrierë të ndërprerë herët nga dëmtimi, e pati ambicien e madhe për të marrë revanshin në profesionin tjetër të futbollit dhe nuk mund të thuhet se nuk ia ka dalë.

Dy tituj kampionë i ka në kabinetin personal të trofeve, së pari në 2006 me Elbasanin, dhe më pas në 2008 me Dinamon, pas finales dramatike me Partizanin. Gjithsesi, 50-vjeçari nuk ka qenë gjithnjë prezent në Superligë. Në ish-kompleksin Dinamon, ai është prezantuar disa herë si trajner i bluve, por më shumë ka punuar si drejtor i akademisë, apo pas vitit 2011 edhe si drejtues i akademisë së tij private.

Natyra e pavarur dhe karakteri i fortë nuk e kanë lejuar të pranojë çdo lloj oferte, ndërsa një herë u largua nga Dinamo për ndërhyrje në punët e tij, largim që më pas, bashkë me rrëmbimin e kompleksit, sollën edhe rënien e ekipit nga Superliga.

Ky karakter impulsiv, madje edhe gjaknxehtë, e kanë bërë edhe që të përplasej deri fizikisht, siç i ndodhi shumë vjet më parë në Peqin, kur ishte trajner i Besës së Kavajës. Kjo natyrë bëri që për shumë vite emri i tij të mos përmendej shumë në media, për më tepër që Daja nuk pëlqen të jetë në studiot televizive. Edhe ato vite, ai pati sukses me futbollin e moshave duke dalë disa herë kampion.

Në tetor 2015, ai ishte në udhëkryq. “Duhet të marr një vendim, pasi nuk dua të harrohem si trajner me të rriturit”, ishte dilema, dhe përfundimisht pranoi ofertën e presidentit të Tiranës, Halili, duke u bërë trajner i bardhebluve.

Tirana ishte dhe mbetet klubi më i madh i Shqipërisë, 24 herë kampion, por nuk qe e lehtë të kthehej tek suksesi. Daja punoi fort, por në 1 nëntor 2016, vetëm 1 vit pas ardhjes në detyrë dhe pak ditë pas fitores së madhe ndaj Skënderbeut, Daja u shkarkua.

Nuk kaloi shumë dhe në janar të këtij viti, ai u përzgjodh nga klubi më i mirë shqiptar i këtyre viteve. Ilir Daja u prezantua si trajner i Skënderbeut, në krah të presidentit Takaj. “Është krenari të jem trajner i skuadrës kampione, që ka dalë 6 herë radhazi e para në Superligë, – tha Daja, – ju e dini se në një skuadër mua nuk më mban kontrata. Nëse do të jem i vlefshëm për ekipin, qendroj, ndryshe largohem, pavarësisht nga kontrata”.

Në vetëm 8 muaj, ai e ka rikthyer skuadrën në nivelet më të larta. Edhe pse nuk e fitoi dot titullin kampion, sërish ecuria-rekord në Europë vlen mbi gjithçka. Tashmë, presidenti Takaj ka besim të plotë se me Dajën, Skënderbeu do të jetë sërish numri 1 i Superligës.

Sfidanti.al