Kur Roma goditi shtyllën në minutën e 65-të, në “Olimpiko” gjithkush mendoi se kjo ndeshje do të fitohej, dhe të gjithë kishin të drejtë. Interi ishte vënë me shpatulla pas muri, por u deshën vetëm 12 minuta që gjithçka të përmbysej dhe 22 minuta që të merrte fund. Nga 1-0 për vendasit, në 1-3 për Interin. E gjitha kjo, edhe pse deri në minutën e 65-të verdhekuqtë kishin shënuar me anë të Xhekos dhe kishin goditur tri herë shtyllat e portës së Handanoviçit, me Kolarovin, Naingolanin dhe Perotin. Heroi ishte Mauro Ikardi, me kapitenin që shënoi golat që sollën përmbysjen dhe krijoi edhe rreziqe të tjerë për portën e vendasve.
Roma dhe trajneri i saj i ri, Euzebio Di Françesko do të kenë çfarë të mësojnë nga një mjeshtër si Luçiano Spaleti dhe kampionët e skuadrës zikaltër. Gjithsesi, më shumë sesa fitore e Interit, kjo ishte humbje e Romës, dhe një përmbysje e merituar e fatit, përmbysje e hidhur si ato që njeh futbolli, nëse nuk tregohesh shumë serioz me të.
Sfidanti.al