Ilir Daja dhe Kukësi, një “martesë” e vështirë dhe me kushte!

Dita e së vërtetës mesa duket është lënë për sot. Kukësi mund të mësojë emrin e trajnerit të ri, dhe njeriu që pritet të thotë “po” quhet Ilir Daja. Ish-trajneri i Skënderbeut dhe i Flamurtarit ka biseduar prej ditësh me presidentin Safet Gjici, sipas burimeve në klub, dhe sot do të deklarojë vendimin e tij.

Daja, një nga teknikët më të njohur në Shqipëri vitet e fundit, shkëlqeu me Skënderbeun duke fituar titullin e Kupën e Shqipërisë, si dhe duke arritur fazën e grupeve në Ligën e Europës. Flamurtari u quajt gjithashtu një sukses për tiranasin, sepse punoi në kushte të krizës financiare, duke dalë në vend të pestë në Superligë, dhe pretendent për kupat kontinentale.

Shpresa e nënkampionëve të Shqipërisë është që përgjigja e Dajës të jetë pozitive, ndonëse kjo nuk mund të quhet si diçka e sigurt. Burimet në klub pohuan se mund të ketë edhe refuzim, kjo për shkak të pasigurisë për vazhdimësinë. Për një vit, te Kukësi janë ndërruar tre trajnerë, Peter Pakult, Armando Cungu dhe Ernest Gjoka, që drejtoi skuadrën në Ligën e Europës, duke u eleminuar në turin e parë nga Debreceni i Hungarisë, pas rezultateve 0-3 dhe 1-1.

Nuk oferta financiare e Kukësit për Dajën, i cili tek Flamurtari bëhet e ditur se merrte 4 500 euro, ndërsa burime jozyrtare tregojnë për mbi 6 000 euro. Presidenti Gjici ka gjithashtu një plan B, nëse përgjigja do të jetë negative, dhe besohet se do të marrë një tjetër trajner shqiptar.

Përveç stolit, te Kukësi ka edhe lëvizje të tjera. Nënkampionët e Shqipërisë prezantuan Enis Gavazajn, ish-lojtar të Skënderbeut, i cili sezonin e kaluar ishte në Rusi tek Jeniseji dhe në Bjellorusi tek Dinamo e Minskut. Kukësi po ashtu ka marrë huazim mesfushorin Umar Kamara nga Besëlidhja, ndërsa më herët është përforcuar me Avdylin, Mustën, Lulajn, Çermën dhe Kitanivskin. Largim i rëndësishëm nga ekipi është ai i Valdet Ramës, ish-lojtarit të kombëtares që u afrua në janar.

Sfidanti.al