Disfata e fundit ishet fatale, ndonëse kishte ndodhur edhe më parë. Kastrioti pësoi humbjen e pestë radhazi në Superligën shqiptare, 0-2 në fushën e Kukësit dhe kjo solli largimin e trajnerit Ardian Mema. Tekniku tiranas paraqiti dorëheqjen, të paktën sipas njoftimit zyrtar të dhënë nga klubi krutan në FB. Burime pranë drejtuesve informojnë se kandidat për stolin është Emiliano Çela, trajneri që e drejtoi ekipin sezonin e kaluar duke qendruar në Superligë. Ish-trajneri i Tiranës punoi më pak se dy muaj në drejtim të Kastriotit. Ai e mori detyrën në 14 dhjetor, ndërsa zyrtarisht ndeshjet filluan këtë vit. Barazimi 1-1 me Partizanin dha shpresë, por nuk u pasua nga rezultate pozitive, pavarësisht se krutanët u treguan luftarakë dhe patën mundësi për më shumë. Largimi i Memës ishte një tjetër ndryshim në stolin e ekipeve të Abisnet Superligës, pasi më parë janë shkarkuar apo kanë dhënë dorëheqje mjaft trajnerë tek Laçi, Egnatia, Bylis, Kukësi apo Teuta.
Sfidanti.al