I ndalur pikniku në Gjirokastër, Luftëtari të turpëron me lojë e me gola

Të gjithë e dinin se Luftëtari është një ekip i pabesë, krejt i paparashikuar, që të godet për vdekje  me futbollistët e saj të shpejtë, por Partizani dhe Starova  kishin menduar se ndaj tyre nuk ka përralla të bukura me Bregu dhe Abazaj që lodrojnë me topin, por dhe me mbrojtësit.  Ajo që ndodhi në Gjirokastër ka qënë një  shuplakë e bukur për pretendentët për titull, Partizanin, por edhe për të gjithë ata që mendonin se kjo ndeshje pa Ekuban e pa Bregun nga ana tjetër, do të ishte e marrë peng  lufta për pikë dhe aspak për bukuri loje.  Pale kur mendoje një stadium “pa gojë” , ngaqë nuk do të ishin tifozët  më të lumtur të kampionatit,  ata që po dehen me stilin befasues të Luftëtarit të trajnerit serb, Milinkoviç.  E pësoi edhe Partizani në një mënyrë injoruese,  i privuar të sulmonte portën e gjirokastritëve dhe vetëm në minutën e 88-të provoi shijen e një rasti  kërcënues.  Kurse vendasit lodronin me topin dhe me mbrojtjen e kuqe, sa pas golit special të Abazajt, i cili marshoi për afro 40 metra,  mund të kishte qënë edhe një i tretë, që u shmang vetëm nga akrobacia e portierit Hoxha.

E kanë mësuar të gjithë se në Gjirokastër nuk shkohet për piknik, madje duhet të mbledhësh mëndjen për një lojë që të mos turpërohesh. Starova nuk e tha me fjalë, por nëse do të deshifronim pamjen e tij,  kishte përjetuar një ndeshje të humbur në të gjitha drejtimet. Edhe ai vetë , të cilin shpesh e quajnë ‘Sulejmani i madhërishëm” ka humbur  në mënyrë tragjike duelin me serbin Milinkoviç.

Ndeshjet e tjera dhanë këto rezultate:

Korabi   –  Laçi     0-1 ( Lushkja 3’) , Skënderbeu – Flamurtari 1-0 ( Jashanica 86’) dhe Lufëtari – Partizani 2 – 0 ( ramadani 44” dhe Abazaj 65’).  Takimi  Teuta – Tirana do të luhet në ora 17.00.

Sfidanti.al