“Një lindje e vështirë”. Ky është titull i ndonjë drame apo novele, por është padyshim një titull për Partizanin e këtij sezoni të Mark Iulianos. Juventini i madh si lojtar, po vuan shumë që të bëhet i tillë edhe si trajner, por më në fund ia doli që ekipi i tij të shënonte golin e parë, të arrinte fitoren e parë dhe të realizonte përmbysjen e parë. Të gjitha në një 90 minutësh të vetëm, në stadiumin e vështirë, “Niko Dovana” në Durrës, me të kuqtë që ia dolën 2-1 dhe u ngjitën në kuotën e 5 pikëve. Teuta u mund, edhe pse u tregua ekip shumë i vështirë, dhe për kryeqytetasit shënuan Trashi e Sukaj (ky me penallti).
Iuliano tashmë nuk e rrezikon pozicionin e tij si trajner, ndërsa mund të kishte “fluturuar” nëse Partizani do të ishte mundur, dhe besohet se italiani mund të nisë ciklin e sukseseve, pasi vetë ekipi i presidentit Demi është krijuar pikërisht për të dalë kampion. Ky është edhe objektivi i vetëm i vendosur nga kreu i klubit.
Në të njëjtën orë në të cilën fitoi Partizani në Durrës, Skënderbeu ia doli në Korçë ndaj Laçit, edhe pse pa shkëlqim. Ademir Souza, ish-lojtar i korçarëve shkaktoi autogol në 27’, pastaj Lushkja barazoi në 57’ për ekipin që tani drejtohet nga trajneri Mezani. Në 75’, Jashanica kaloi Skënderbeun sërish në avantazh, por gjashtë minuta para fundit, u desh mrekullia e portierit Orges Shehi që priti penalltinë e gjuajtur nga Ansi Nika.
Rezultatet: Skënderbeu-Laçi 2-1, Teuta-Partizani 1-2, Lushnja-Kukësi 0-2, Luftëtari-Kamza 1-2, Vllaznia-Flamurtari 1-1. Renditja: Skënderbeu 13, Kukësi 10, Flamurtari 8, Teuta 7, Kamza 6, Laçi 6, Vllaznia 5, Luftëtari 5, Partizani 5, Lushnja 2.
Sfidanti.al