Ernest Gjoka bën lodra fjalësh në konferencën e fundit për shtyp, duke e parë kupën gjysmë të mbushur. Për të, këmbëngulja e gazetarëve, të cilët vazhdojnë t’i kujtojnë se skuadra e tij ende nuk ka fituar një ndeshje në transfertë ka një lloj tendence, pasi Kukësi edhe nuk ka humbur asnjëherë jashtë fushës, madje sipas teknikut, një tjetër barazim në Korçë sërisht do të ishte një rezultat pozitiv. Ndërkohë që Gjoka e ka të qartë edhe formacionin që do të përballet me Skënderbeun, madje mendon se e ka të plotësuar mjaftueshëm për t’i prishur ëndrrën italianit Agostinelit, i cili duket se tri pikët ndaj verilindorëve i ka fituar që në shtrat.
Mungesa më e rëndësishme do të jetë sulmuesi Emini, ende i parikuperuar plotësisht, ndërkohë që Pashaji është kthyer në mbrojtje pas pezullimit për shkak të kartonit të kuq të marrë në Vlorë. Musolli dhe Lena do të jenë përpara mbrojtjes, Karioka më i avancuar në të majtë dhe Hasani pas shpinës së Pejiç, i cili disa orë përpara ndeshjes tha me një shqipe të kuptueshme, se goli është e vetmja gjë që di ta bëj mirë.