Fshatari i Migjenit me “legjendën e misrit”, Partizani me legjendën e golit!

Tifozët e Partizanit janë gati të shtypin dhe të ngjisin nëpër mure një pankartë ku të shkruhet “Kërkohet me çdo kusht një sulmues”. Nuk dihet nëse mendojnë kështu edhe drejtuesit e klubit, por besohet që po, pas asaj që i panë sytë në Vlorë. Të kuqtë sulmuan për 70 minuta, duke luajtur në gjysmëfushën e Flamurtarit, por humbën 0-1 në ndeshjen e Superligës, duke i dhënë mundësi Skënderbeut që të tentojë kapjen e kreut. Kryeqytetasit kanë 31 pikë, dhe korçarët 29, ndërsa luajnë ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”.

Kapiteni Tomislav Bushiç shënoi që në minutën e 9-të për vendasit, që arritën një fitore me shumë vlera, për renditjen, por po ashtu edhe për moralin, duke treguar më në fund se janë një skuadër siç e kërkon trajneri Ilir Daja. Kur nuk mund të jetë spektakolare, të paktën është e sigurt në prapavijë, duke mos pësuar gol.

Nëse në vitet 30-të, Migjeni do të shkruante “Legjendën e Misrit” për mjerimin e fshatarit shqiptar, sot për Partizanin do të duhet të shkruhet “legjenda e golit”, ose “legjenda e sulmuesit”, kaq shumë prish punë mungesa e një lojtari që ta dërgojë topin në rrjetë. Ndoshta, tifozët kanë ende në xhep, pranë zemrës, fotot e Ekubanit.

Sfidanti.al