Ishte shumë pranë vendit të dytë, por e humbi atë thuajse në fund. Fatkeqësisht ishte një vlonjat që i hoqi Flamurtarit fitoren nga dora, dhe që ndihmoi Luftëtarin të merrte të paktën një pikë në fushën e tij. Përfundoi 1-1 përballja e javës së 13-të të Superligës në stadiumin e Gjirokastrës, dhe skuadra e trajnerit Shpëtim Duro nuk shfrytëzoi shansin e madh për të kaluar Kukësin e Kamzën, dhe për të qenë ndjekësja më e afërt e Skënderbeut.
Sidoqoftë, me mënyrën sesi u luajt ndeshja, barazimi ishte më e pakta që meritonte Luftëtari i trajnerit Hasan Lika. Të rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria, gjirokastritët e kishin si një ndeshje për jetë e vdekje, aq më tepër që luanin në shtëpi. Edhe pse pësuan gol shpejt, që në minutën e 26-të pas goditjes së brazilianit Zhufo, ata nuk e humbën shpresën duke këmbëngulur deri në fund. Krijuan shumë raste me anë të Bregut, Abazajt e Rrocës, veçse nuk qenë të saktë sa duhet.
Natyrisht, edhe Flamurtari pati mundësitë e veta, veçse shumë më të pakta, duke ia lënë më shumë iniciativën kundërshtarit. Kush kërkon gjen, dhe Luftëtari e ia doli të shmangte humbjen në minutën e 80-të. Autor i golit, me mjaft zotësi, ishte pikërisht vlonjati Devi Bregu. Me këtë barazim, gjirokastritët mbeten sërish në vend të parafundit, në zonën e ftohtë që të zbret nga kategoria, por tani pak më pranë Vllaznisë, dy pikë larg. Flamurtari, ndërkaq po provon sesa i vështirë është ky sezon, ku për Europën kanë ambicie të paktën pesë skuadra.
Sfidanti.al