Në Vlorë situate bëhet gjithmonë e më kaotike, duke u ndihmuar edhe nga spekullimet e shtypit për “çështjen Magani”. Fillimisht thuhej se u largua vetëm provizorisht sa për t’u qetësuar dhe do t’i bashkohet sërish skuadrës, ndërkohë që e vërtetë është krejt ndryshe. Trajneri Magani nuk kishte pse të përkëdhelej, për t’i bërë më pas drejtuesit që ta lusin dhe aq më pak për të kërkuar kohë të vlerësojë situatën. Ai aty ishte dhe i kishte parë e vuajtur të gjitha, kështu që tani thjeshtë është larguar nga një ambjent ku është pothuajse e pamundur të punohet normalisht.
E sigurtë është, që tekniku nuk do të jetë në krye të skuadrës për ndeshjen e nesërme, që Flamurtari do ta luajë në transfertën e vështirë të Laçit. Por nuk do të jetë as administrator Idrizi, për t’i qëndruar pranë skuadrës në një moment kaq të vështirë, pasi siç ndodh shpesh në raste turbulencash, gjithmonë i del ndonjë punë e ngutshme në Turqi.
Gjithsesi, titullari i klubit ka lënë pas një shprehje të madhe, që mund të përdoret edhe si postulat ironik për ata që po vuajnë shumë financiarisht nga fanela e Flamurtarit: “Paratë aty janë”… pra futbollistët dhe stafi duhet të vazhdojnë të mundohen për t’i gjetur. Në fakt të gjithë e dinë se në Vlorë ka gjithmonë para diku, por ku janë ato që i përkasin skuadrës së futbollit?…