Më e saktë dhe më e dashur do të ishte fjala “me të mirin”, dhe jo “me të fortin”. Sidoqoftë, Tirana e Emanuel Egbosë është edhe e mirë, edhe e fortë, dhe tani pas 7 fitoreve radhazi në kampionat, plus një në kupë, po tregohet “si dikur”. Suksesi në Shkodër ndaj Vllaznisë erdhi në fund, madje u desh një gabim i portierit vendas, Sherri, që Kobina të realizonte, por kur triumfet janë “varg” nuk mund të ketë dyshime. Kjo Tiranë e meriton!
Po imiton deri diku Partizanin e vjetshëm, ndonëse ka shumë më pak kohë pa titull sesa kishin të kuqtë, “vetëm” 10 vjet në krahasim me 26. Po imiton edhe Liverpulin, të paktën me serinë që po kalon nën drejtimin e Egbosë, ndonëse të kuqtë e Anglisë janë nivel tjetër. Superliga shqiptare rifitoi më në fund një skuadër të madhe, atë me historinë numër 1, të paktën përsa i përket trofeve, ndërsa për vjetërsi, është e dyta me vetëm 1 vit më pak se Vllaznia.
Shpesh thuhet se Egbo nuk është trajner i standardit për të pasur Tiranën, dhe ndoshta teknikisht kjo mund të jetë e drejtë. Padyshim, ai po merr edhe frytet e punës së paraardhësit të tij kryesor, Ardian Memës (Ahmataj qendroi pak në detyrë). Gjithsesi, ish-portieri ka disa cilësi që duhet t’i ketë një trajner i madh, cilësi që nuk mund të mësohen, ndërsa teknikisht mund të mësojë e të përmirësohet.
Trajneri i Tiranës është një djalë me zemër të madhe, me botë shpirtërore, me kulturë shumë mbi nivelin mesatar të futbollit në Shqipëri dhe kjo ndikon në marrëdhëniet me lojtarët. Është i ekuilibruar, i përgatitur dhe i zgjuar, dhe të gjitha këto e bëjnë të qetë, si dhe i ka parimet bazë. Siç do të thoshin “tironasit denbabaden”, “osht me tabon”. Lojtarët e respektojnë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Nuk dihet nëse Tirana do të dalë apo jo kampion në këtë 100-vjetor. Rivaliteti ekziston, pasi është Kukësi, por padyshim edhe Partizani. Për më tepër, nuk dihet sesi do të reagojë ambienti bardheblu pas ndonjë humbjeje, që normalisht mund të vijë. Sidoqoftë, le të mos spekullojmë ,por të kënaqemi me rikthimin e klubit të madh, atij që tifozët e vet e quajnë “noltmadhni”!
Sfidanti.al