Që Elis Bakaj është misionar i golit, këtë nuk e vënë në dyshim edhe vetë arbitrat, ata që thuhet se e duan më pak për shkak të stilit të tij ngacmues. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, meqë arbitrat nuk kanë dashuri biologjike për futbollistët, madje shpesh thuhet se ata vdesin më shumë për presidentët, sesa për proletarët e topit. Elis Bakaj, edhe Shkodrën e ka pushtuar shumë shpejt me talentin origjinal për të shpuar portën, sa shkodranët thonë me humor “ shyqyr që erdhi njëri që nuk bën gol në portën e tij, por tek e kundërshtarit”. Ditët e fundit, në një bisedë spontane, sulmuesi ka zbuluar se frika e tij nuk janë portierët, as mbrojtësit, madje nuk mund të flitet edhe për arbitrat që “shënojnë” gola vitrine, por janë notat që u vihen pas ndeshjes “nxënësve” të fushës.. ndonjëherë nga një mesues fshati. “ Kudo ku kam luajtur në Europë, gazetarët që vënë notat për futbollistët kanë ndihmën e kompjuterit ku mblidhin shumë të dhëna si pasimet, gjuajtjet, vrapimi, driblimi, loja pa top dhe shumë gjëra të tjera, kurse në futbollin tonë nota vihet edhe me një shikim me bisht të syrit të ndeshjes”.
Nuk dihet nëse “nxënësi” Bakaj ka marrë ndonjë notë të pamerituar nga ata që lexojnë ndeshjet, edhe pse ai flet me gola zakonisht, duket se ajo që kërkon të paralajmërojë është “ kujdes me notat, mos i vini me simpati apo me antipati” . Nuk dyshon se personazhet më të spikatur dhe më të privilegjuar mbeten sulmuesit, ata që vendosin historinë e ndeshjes, por kjo nuk e përjashton mundësinë që më miri i ndeshjes mund të shpallet edhe portieri ose mbrojtësit. Ka edhe një shembull konkret. E patë ndeshjen në Vlorë? Të gjithë prisnin golin nga Pejiç apo Emini, ndërsa golin e vërtetë e “bëri” portieri Koliqi, pa të cilin kukësianët mund të kishin provuar një shije tjetër të pakendshme..
Sfidanti.al