San Antonio Spërs arriti një tjetër fitore të vështirë, këtë herë në shtëpi me Minesotën (97-90), veçse siguroi gjënë e parë të rëndësishme të sezonit, kualifikimin për në plej of. Ishte një mbrëmje jo nga të zakonshmet për të besuarit e trajnerit Greg Popoviç, por që u zgjidh mbarë. Ky kualifikim ishte i 20-ti radhazi për njërën nga skuadrat më të rëndësishme të NBA-së, duke lënë pas një emër të madh si Boston Sëlltiks (rekordmen i titujve). Spërsat u barazuan me Juta Xhazin e Karl Malounit e Xhon Stoktonit, ndërsa mbeten për t’u mbërritur edhe Portlendi (21 kualifikime radhazi) dhe Filadelfia (22).
Popoviç do të përpiqet të fitojë titullin e gjashtë kampion, të parin pa Tim Dankënin, ndërsa në ekipin e tanishëm shkëlqejnë Leonard, Olldrixh, por edhe Pau Gasol. Leonard shënoi 34 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, ndërsa po luan në nivelet e kampionëve si Dankën apo Robinson. Me më shumë se 1 600 ndeshje si trajner në NBA, dhe me 1 137 fitore, Popoviç është një nga trajnerët më të suksesshëm në basketbollin amerikan. Shpejt pritet të kalojë Fil Xheksonin e famshëm, ndërsa as Xhorxh Karli nuk është larg. Gjithsej, vetëm 6 trajnerë kanë fituar më shumë ndeshje në sezonin e rregullt sesa Popoviç, i cili shpreson të fitojë titullin e 6-të në karrierë.
Kjo do të bënte që “Pop” të linte prapa Pat Rajlin dhe Xhon Kandlën, dhe të mbetej pas vetëm legjendarëve Fil Xhekson (11 tituj, 6 Çikago+5 Lejkërs) dhe Red Auebah (9 me Bostonin).
Sfidanti.al