Duhet të ketë një arsye që Reali ka fituar vetëm një titull në Spanjë që nga viti 2008, dhe kjo arsye nuk është plotësisht Lionel Mesi. Pavarësisht dominimit të yllit të Barcelonës, madrilenët kanë edhe “mëkatet” e tyre në këtë periudhë që këtë sezon mbush plot 10 vjet. Një tjetër tronditje brenda skuadrës më të shtrenjtë të botës duket se mund t’i kushtojë edhe një sezon tjetër pritjeje për të “emuluar” atë që bëri skuadra e drejtuar nga i famshmi Fabio Kapelo
Nga të gjitha anët ka shpërthyer lajmi mbi pakënaqësi të disa prej lojtarëve ndaj Kristiano Ronaldos, me akuzën shpesh herë të përmendur të “egoistit”. Emrat që dolën ishin të Marselos dhe të Modriçit, por kapiteni Sergio Ramos thotë se versioni i dalë në media nuk është plotësisht i saktë.
“Unë nuk kam thënë që Kristiano Ronaldo duhet të ketë trajtim të privilegjuar në krahasim me të tjerët, – u shpreh Ramos, – kjo është gënjeshtër. E vërteta është se të gjithë ne kryejmë detyra mbrojtëse”. Gjithsesi, numri 4 pohoi se kishte pasur një takim pas barazimit 3-3 me Las Palmasin. “Sa herë që gjërat nuk shkojnë mirë, ne kemi takim në skuadër, por kjo ndodh kudo”, – theksoi ai. Lajmet janë që Ronaldo u akuzua se nuk mbron sa duhet, dhe se merr përsipër meritën kur fiton, por ua lë fajin të tjerëve kur ekipi humb. Sipas mediave, Ramos e mbrojti CR7-ën duke thënë se “I vetmi që mund të mos vrapojë shumë është Ronaldo, sepse ai shënon 60 gola (në vit)”.
Sfidanti.al