Egnatia “vjedh” kryelajmin e Superligës, mbi Teutën, Kukësin e Vllaznisë

Ishte një ditë kampionati ku, përveç derbit të kryeqytetit, flitej shumë për përballjen në Shkodër, Vllaznia-Kukësi, por edhe për shansin e Teutës me trajnerin e rikthyer Edi Martini, për të marrë një fitore që konsiderohej e lehtë. Gjithsesi, ndërsa derbi nisi më vonë, kreun e vendit e mori Egnatia e Rrogozhinës. Ekipi modest që erdhi nga Kategoria e Parë dhe që vuajti mjaft pas shkarkimit të Gugash Maganit, bëri një goditje të madhe në Durrës duke fituar 2-1. Ishte si ato ndeshje ku njëra palë matej, dhe tjetra godiste. Teuta pati raste në “Niko Dovana”, por gjënë më të rëndësishme, golat, i shënoi ekipi nga Rrogozhina. Trajneri Ramadani mori fitoren e parë dhe në një kampionat të tillë si këtë sezon mund të shpresojë mbijetesën. Rrogozhinasit kanë 14 pikë në vend të parafundit, por Skënderbeu e Dinamo kanë nga 15, ndërsa Teuta është në kuotën 18 pikë. Dy golat i shënoi djali i trajnerit të shkarkuar, Artur Magani, sikur të kujtonte se ky mbiemër mbetej në fuqi tek Egnatia.

Sfidanti.al