Kategoria Superiore ka ndalur hapin për disa ditë në pritje edhe të Kupës por kur merkatoja e janarit është drejt mbylljes, Tirana, Vllaznia dhe Partizani janë ende një hap pas skuadrës kryesuese. Në një sezon të rregullt, Egnatia ndoshta do të ishte shumë pranë titullit tashmë por në finalen katërshe llogaritë do të bëhen ndryshe. Gjithsesi, deri në ditët e “final four”, formulë që në FSHF vanzhdojnë ta mbrojnë me verbëri edhe pse në fund mund të mos rezultojë shumë sportive, Egnatia duket se është legjitimuar plotësisht si kampione e dimrit.
Në merkaton e dimrit ka humbur lojtarë të rëndësishëm por gjithashtu ka reaguar menjëherë duke afruar po ashtu lojtarë të rëndësishëm e madje duke thyer një tabu të futbollit shqiptar pasi pagoi për të blerë kartonin e një lojtari nga jashtë. Duket se në Rrogozhinë i kuptojnë më qartë rregullat e futbollit në kapitalizëm duke i dhënë një shembull futbollit shqiptar të mbetur ende në epokën e feudalizmit përsa i përket marrëdhënieve dhe dinamikave të merkatos.
Deri më tani, kur kanë mbetur edhe tetë ditë nga mbyllja e merkatos, Partizani është ndalur me afrimet e Xhuliano Skukës në formë huazimi dhe të Redon Ismailit si lojtar i lirë, pas mbylljes së kontratës me Gjilanin, ndërsa Tirana nuk ka mundur të bëjë asnjë hap për shkak të bllokimit të merkatos. Në korsinë e shpenzimeve dhe lëvizjeve, Egnatia nuk ka rivalë dhe ashtu si në fushë ku pikët e diferencës me Partizanin janë 8, kjo është situata ku mund të thuhet me plot gojën se investimet e klubeve janë pasqyruar tërësisht në rezultatet e tyre.
Nga Pirro Bardhyli