Palestina bën historinë, fiton 3-0 në kohë lufte

Palestina, ka lënë pas krahëve plagët e luftës, teksa ka triumfuar 0-3 ndaj Hong Kongut, në sfidën e vlefshme për Kupën e Azisë.  Për palestinezët kjo është fitorja e tyre e parë në historinë e kompeticionit dhe e mjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë, gjithsesi kjo gjë pritet të konfirmohet matematikisht nesër. Odai Dabagh ishte heroi në Doha me dy gola dhe menjëherë pas vërshëllimës së arbitrit, lojtarët dhe stafi i përfaqësueses së njohur festuan në fushë, duke u përqafuar me njërin tjetrin dhe duke valëvitur flamuj.  “Ne ia dolëm të sjellim një buzëqeshje në fytyrat e atyre që na ndjekin… brenda apo jashtë Palestinës”, tha pas sfidës kapiteni Musab Al Batat.  Sido që të shkojë rrugëtimi, të besuarit e Makram Daboub e kanë fituar Kupën e vet. Një sukses historik, që me siguri do të mbahet mend gjithmonë. Ky është nga ato momentet kur dhimbjet e mëdha kthehen në forcë!

sfidanti.al