Mjafton një zgjedhje e gabuar e stolit në fillim dhe sezoni mund të shkatërrohet. E kuptoi në kohë Luftëtari dhe pasi largoi dyshen e trajnerëve nga Amerika Latine, mori Hasan Likën. Shpërblimi nuk vonoi të vinte dhe pas fitoreve të mëdha ndaj Partizanit (5-0) dhe në fushën e kampionëve, në Kukës (2-1), ja ku erdhi edhe suksesi në Gjirokastër ndaj Skënderbeut.
Kryesuesit e Superligës, ata që quheshin si nga një planet tjetër, u dukën krejt njerëzorë përballë një formacioni pa shumë emër, por që di të luajë shumë mirë futboll. Kristal Abazaj, lojtar që vitin e ardhshëm mund të shkojë pikërisht në Korçë, shënoi dy golat, ndërsa Devi Bregu (gjithashtu një “skënderbegas” i ardhshëm) ndihmoi në fitoren e madhe.
Trajneri Lika theksoi se “fitorja ishte e gjithë ekipit, jo vetëm e dy lojtarëve”, ndërsa trajneri i korçarëve, Daja, kritikoi të tijtë duke thënë se “nuk na lejohet të kalojmë në mbingarkesë emocionale, ndërsa Abazaj bëri vetëm detyrën”.
Luftëtari as nuk besohet se do të rrezikojë vendin në Superligë, ndonëse në një kampionat si ky në Shqipëri, ku shpesh ndeshjet “luhen jashtë fushe”, çdo gjë mund të ndodhë.
Në ndeshjet e tjera, pati suksese të Kamzës dhe Lushnjës. Kamzalinjtë mundën 3-1 Laçin në fushën e tyre me trajnerin Ndreu që theksoi se na ndihmoi faza përgatitore. Ymeraj, Imeri dhe Mehmeti shënuan golat, ndërsa kurbinasit barazuan përkohësisht me anë të Rezhinaldos.
Lushnja mori një barazim të rëndësishëm në fushën e Teutës, ndonëse mbetet e shkëputur në fund dhe do ta ketë të vështirë mbijetesën. Canka dhe Sefa shënuan për myzeqarët që kryesuan 1-0, pastaj u përmbysën në 1-2, por përfundimisht morën pikën në Durrës.
Sfidanti.al