Jeovil-Man. Junajtid, përballë “miu me elefantin” në Kupën e Anglisë

Kur Aleksis Sançez hodhi firmën në kontratën e tij me Mançester Junajtidin, ai nuk e dinte se paga e tij ditore prej gati 60 000 eurove në ditë ishte më e madhe sesa pagesa e dy javëve të gjithë skuadrës së Jeovil Taunit. Kjo diferencë e frikshme mes “peshave të rënda” të Premier Ligës dhe “liliputëve” të kategorisë së tretë, u vu në dukje nga mediat britanike pasi dy skuadrat i kishte vënë shorti përballë në Kupën e Anglisë.

Skuadra e Zhoze Murinjos ka një bordero të rrogave vjetore prej gati 300 milionë eurosh, ndërsa Jeovili është i detyruar të kënaqet me rreth 1.4 milionë euro (ose 263.4 milionë paund ndaj 1.2 milionë paundëve). Blerja-rekord e Junajtidit është ajo e Pol Pogbasë prej 89 milionë paund stërlinash, apo rreth 110 milionë euro, ndërsa rekordi për Jeovilin ishte blerja e kartonit të Pablo Bastianinit për 250 mijë paund (100 000 paund më pak se rroga javore bazë e Sançezit).

Po ashtu, Junajtidin e ndjekin në “Old Traford” mesatarisht 74 994 tifozë për ndeshje, ndërsa Jeovili ka vetëm 9 527 tifozë për çdo takim në “Hjuish Park”. Sidoqoftë, në Angli, ekziston një mënyrë për të vënë përballë “miun me elefantin” dhe pikërisht Kupa e Anglisë, edhe pse kjo nuk e bën aspak më të vogël dëshpërimin për këtë polarizim. Kjo thjesht bën më të madh çmendurinë e fitores nëse triumfon “miu”.

Sfidanti.al