Dy gola për 6 pikë në Superligë, Teuta e Laçi i falen “çastit magjik” në Superligë!

Golat i kanë me pikatore, por të paktën u kthyen tek fitorja. Kampionët e Shqipërisë në fuqi, futbollistët e Teutës triumfuan minimalisht 1-0 në fushën e Egnatias duke lënë pas humbjen me Tiranën. Një gol me penallti realizuar nga Sherif Kallaku ishte ai që ndau dy skuadrat, ndërsa përballja ishte e fortë dhe me pak raste për shënim. Edhe pse nuk e nisi mirë ndeshjen, Teuta u tregua më lart se vendasit në sfidën e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës, ku janë zhvilluar edhe shumë duele të tjerë të këtij sezoni në Abisnet Superligë. Gjithsesi, gol nga loja nuk pati dhe u desh 11-metërshi.

Gjyqtari e akordoi pasi injoroi protestat durrsake në pjesën e parë, dhe Kallaku nuk gaboi. Këto ishin tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin e trajnerit Edi Martini, që u mund një javë më parë 2-3 nga Tirana në “Elbasan Arena”, disfata e parë për këtë sezon. Me këtë fitore, durrsakët u barazuan të paktën përkohësisht me Tiranën me 11 pikë, dhe të dyja skuadrat janë në krye të renditjes, ndonëse kryeqytetasit do ta luajnë të hënën ndeshjen e tyre, derbin ndaj Partizanit. Në sfidën tjetër të kësaj dite, Laçi fitoi 1-0 në fushën e Kastriotit me golin e shënuar nga Mentor Mazrekaj.

Sfidanti.al