Duro-Laçi, divorci i paralajmëruar për shkak të mungesës së “kodit” të komunikimit me drejtuesit!

Dihet se çdo fillim e ka një fund, por këtë herë ishte i shpejtë. Shpëtim Duro nuk është më trajner i Laçit, duke u larguar nga detyra pas vetëm 8 muajve. Nuk jepen arsyet e ndarjes së teknikut kryeqytetas me klubin kurbinas, por besohet se atmosfera nuk ka qenë më e mira e mundshme. Gjithsesi, burime pranë palëve pohojnë se gjithçka ka ndodhur me mirëkuptim të plotë të Duros dhe të presidentit Pashk Laska. Është shumë e vështirë të mbijetosh gjatë në klubet shqiptare nëse nuk gjen “kodin” e komunikimit me drejtuesit, që do të thotë të bindesh edhe për gjëra që profesionalisht nuk mund të pranohen.

Për momentin, nuk jepet ndonjë kandidaturë si pasardhës për stolin. Ish-trajneri i Partizanit, Dinamos, Shkëndisë së Tetovës e shumë ekipeve të tjera, u caktua trajner i Laçit në 11 dhjetor të vitit të kaluar, duke kaluar ngurrimet që pati për shkak të epidemisë në rritje të koronavirusit në atë kohë. Në stolin kurbinas, ai luftoi për titullin deri në javën e fundit të kampionatit duke qenë në një moment të caktuar edhe si pretendenti kryesor. Pasi e mbylli Superligën në vendin e katërt, Laçi i Duros u kualifikua për në Ligën e Konferencave duke bërë një paraqitje shumë të mirë në Europë. U kaluan dy ture, fillimisht ndaj Podgoricës së Malit të Zi e pastaj kundër Universitateas së Krajovës, ndërsa eleminimi erdhi përballë Anderlehtit belg.

Sfidanti.al