Dinamo nuk dëshiron të mbijetojë, Egnatia e mund në “finale”

Ishte vërtet një sfidë e tillë, si një ndeshje fundore që mund të vendosë shumë. Egnatia fitoi 2-0 në atë që u quajt fusha e Dinamos, në “Elbasan Arenë” e ku kishte më shumë tifozë rrogozhinas sesa të bluve të kryeqytetit. Në një ndeshje që ishte e ekuilibruar dhe e ashpër, fitoi vullneti më i madh i skuadrës së vogël ndaj ekipit që është 19 herë kampion i Shqipërisë. Dinamo duket se nuk dëshiron të fitojë dhe nuk dëshiron të mbijetojë në mes të më të mirëve, ku mezi u kthye pas gati një dekade. Sfida u vendos nga golat e shënuar nga Ademi në fund të pjesës së parë dhe nga Pedro Augusto në sekondat e fundit pas një kundërsulmi. “Nëndetëses” nuk po i bën punë as trajneri italian, Vanoli, ashtu siç nuk ia dolën Bledi Shkëmbi dhe Bledar Devolli përpara tij. Me këtë fitore, Egnatia u ngjit në 30 pikë, ndërsa Dinamo mbeti në 23, duke qenë edhe më shumë e rrezikuar për të rënë nga kategoria.

Sfidanti.al