Trajneri i Liverpulit nuk duhet të mendojë vetëm për garën për titull ndaj Mançester Sitit në Premier Ligë, por edhe që të sqarojë mediat dhe të mbajë sa më të mirë atmosferën rreth ekipit në këtë moment të vështirë të sezonit. Në rrjetet sociale dhe në shtyp dolën lajme për një sherr që Sadio Mane dhe Mohamed Salah kanë me njëri-tjetrin pasi Senegali eliminoi Egjiptin në plej ofin e Kupës së Botës. Ndeshja në fushën e Senegalit u zgjidh nga penalltitë, ndërsa egjiptianët u ankuan ashpër për sjelljen e tifozëve vendas që përdorën drita lazer për të shpërqëndruar lojtarët miq. Lajmet janë që dy yjet kryesore, Salah e Mane që janë bashkë tek Liverpuli, kanë pasur përplasje që ka ndikuar në raportin mes tyre. “Nuk ka dyshim që ata janë shokë skuadre, kanë raport të mirë me njëri-tjetrin dhe janë shumë të edukuar, – tha Jurgen Klopi, – ata janë djem të mirë. Mane u soll shumë mirë dhe mendoj se Salahu e vlerësoi. Ajo ndeshje nuk ishte situatë e mirë për askënd, por kështu është futbolli”.
Sfidanti.al