Ky Denver nuk e meriton Jokiçit, humbet edhe pas shkëlqimit të serbit

Janë dy skuadra që kanë në përbërje dy yje shumë të mëdhenj, por që nuk po arrijnë t’i shfrytëzojnë. Nëse Lejkërsat janë “përtokë” edhe pse Lebron Xhejmsi po bën mrekulli këtë sezon, Denveri nuk mund të mburret për shumë më tepër. Skuadra nga Kolorado vërtet është brenda zonës së plej ofit, por Minesota me fitoren e arritur këtë mbrëmje është vetëm 2 humbje larg, në vend të 7-të. Denveri pësoi humbjen e parë pas tri fitoreve radhazi, dhe nuk e shfrytëzoi dot mbrëmjen e jashtëzakonshme të kapitenit Nikola Jokiç. Basketbollisti qendër, Jokiç, shënoi 38 pikë, kapi 19 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, duke qenë shumë pranë një tripëll dabëlli mjaft të madh. Kjo nuk ishte e mjaftueshme ndonëse luhej në shtëpi dhe Minesota fitoi 136-130. Karl-Entoni Tauns ishte më i miri për miqtë me 32 pikë e 9 topa në tabela, ndërsa Rasëll shtoi 24 pikë. Prins, Bizli dhe Eduards po ashtu ndihmuan shumë.

Sfidanti.al