Dhjetë vjet jashtë Europës, pranë shkatërrimit projekti “Skënderbeu”!

Dihej që ishte sëmurë, dhe “vdekjen” e prisnin. Në këtë kuptim, nuk u trondit kush për Skënderbeun, edhe pse lajmi është i madh: Dhjetë vjet përjashtim nga kupat e Europës. Vendimi u dha nga vetë njerëzit e UEFA-s, saktësisht Komisioni i Disiplinës, dhe iu përgjigj pikë për pikë kërkesës së bërë nga inspektorët (po të UEFA-s) që hetuan dosjen e Skënderbeut. Përveç kësaj, korçarët u gjobitën edhe me 1 milionë euro, një shifër vërtet tronditëse për çdo klub shqiptar.

“Do të kërkojmë drejtësinë deri në fund”, ishin fjalët e presidentit Ardian Takaj, i cili duhet të trokasë brenda 60 ditëve në Komisionin e Etikës në UEFA dhe pastaj në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë të Zvicrës.

A ka shans, klubi shqiptar që dënimi t’i hiqet apo t’i ulet ndjeshëm? Shpresa e vetme padyshim mbetet në KAS, pasi Etika është sërish pjesë e UEFA-s. KAS-i e la në fuqi vendimin e UEFA-s për pezullimin 1 vit të Skënderbeut nga Championsi në 2016, por ai ishte vendim administativ, ndërsa ky është vendim “penal”, pra dënim.

Korçarët u dëuan të akuzuar për trukim ndeshjes në Champions dhe Ligën e Europës në sezonin 2015-2016, kur arritën deri në fazën e grupeve të kompeticionit të dytë. Dosja kishte takimet ndaj Krusejdërsit të Irlandës së Veriut (2-3), Dinamos së Zagrebit (1-4), Sportingut të Lisbonës (1-5) dhe Lokomotivës së Moskës (0-3).

Takaj besohet se synon të paktën të ketë një ulje deri në 3 vjet, pasi mendon se një dënim i tillë mund të përballohet financiarisht. Nëse do të mbetej 10 vjet (apo edhe 5), do të ishte shumë e vështirë që Takaj të mund të vazhdonte në krye të Skënderbeut.

Mbetet të shihet se kur do të bëhen hapat ligjorë për çështjen, pasi duhet të zgjidhet edhe se kush skuadër do të shkojë në Champions nga Superliga sezonin e ardhshëm, po ashtu edhe në Ligën e Europës. Kukësi është në vendin e dytë dhe mbetet favorit, ndërsa nëse Skënderbeu do të mbetet i dënuar, duhet të shihet nëse Federata Shqiptare e Futbollit do t’ia pranojë titullin kampion të këtij viti.

Sfidanti.al